Genc Nuza reagon pas kritikave të shumta: Lexo, mëso, studio…
3 min read
Genc Nuza iu është kundërpërgjigjur kritikave të shumta pas ndeshjes Vushtrria-Drita.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka publikuar faqen e IFAB, ku janë të shënuara ligjet e përcaktuara të lojës së futbollit, përcjellë Gazeta Olle.
“Lexo, mëso, studio në emër të Krijuesit tënd që krijoi cdo gjë”, ka shkruar Nuza.

Ndryshe, Genc Nuza është gjyqtari më i mirë dhe më i besueshëm në vend.
Ky është konkluzion i nxjerrë edhe nga zyrtarë e trajnerë të shumicës së klubeve në elitë.
Mirëpo, për ironi të fatit, Nuzën po e përcjellin kritikat e ndeshjeve të Dritës.
Në dy prej tri ndeshjeve të para të këtij edicioni në elitë, Nuza ka gjykuar në ndeshjet e Dritës dhe në të dy takimet është akuzuar.
Pas derbit ndaj Gjilanit u “gozhdua” pa të drejtë, pasi që në xhirimet televizive të “Supersport” shihej hapur simulimi në zonën bardhekaltër, që s’kishte lidhje me penallti.
Mirëpo, kritikat u rikthyen sot në ndeshjen ndaj Vushtrrisë.
Bardhekaltërit nga “Ferki Aliu” pretendojnë që Drita meritoi në dy raste kartonin e kuq (te Fidan Gërbeshi dhe te portieri Tafilovski), e po ashtu protestuan gjatë edhe për një gol të anuluar nga goditja e dënimit.
Më poshtë, “Olle” ua sjellë dy prej tri momenteve në fjalë, përmes sekuencave të publikuara nga “Dukagjini”, ku secili prej jush mund të krijoni një opinion.
Trajneri i Vushtrrisë, Fitim Llapashtica, akuzoi pas ndeshjes treshen e gjyqtarëve.
“Jemi paraqitur mjaft ndryshe krahas dy ndeshjeve me Prishtinë. I kemi dhënë leksion Dritës e cila ka një skuadër mjaft të mirë”, deklaroi Llapashtica pas ndeshjes.
“Jemi dëmtuar nga gjyqtarët që janë me stemë të UEFA-së. Ishte rasti tek portieri i Dritës i cili ishte i fundit dhe nuk mori karton të kuq pas ndërhyrjes në lojtarin tone”.
“Rasti tjetër ishte kur lojtari jonë ishte 1 me 1 me portier, gjyqtari ndalë aksionin për pozitë jashtë loje”.
“Gjithashtu, Dritës nuk iu dhanë disa kartonë të verdhë dhe unë mendoj që sot jemi dëmtuar, gjë që nuk i kisha dëshiruar asnjë skuadre një gjë të tillë”, shtoi ai.

Pas takimit kanë reaguar kryetarët e Prishtinës dhe Trepcës ’89, Remzi Ejupi dhe Abedin Zeka.
Ata për gazetën “Zëri” kanë theksuar se sot Drita fitoi tri pikë përmes gjyqtarëve.
Gazeta Olle do të vazhdojë me publikimin e të gjitha rasteve kontestuese gjatë gjithë sezonit, në bashkëpunim me televizionet që përcjellin futbollin vendor. /Gazeta Olle/

